Pista e Mugello-s, aty ku Desmosedici-t e MotoGP kanë shkruar disa nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sportive të Ducati-t, ishte skena ideale për prezantimin e Collezione 100.
Koleksioni përbëhet nga 10 dizajne të ndryshme, 10 modele të numëruara dhe secili prej tyre do të prodhohet në vetëm 100 njësi. Çdo motoçikletë është krijuar për të nderuar 100-vjetorin e markës italiane, duke bashkuar modelet moderne të Ducati-t me frymëzime historike nga disa prej motoçikletave më ikonike të së kaluarës.
Detaje ekskluzive për çdo motoçikletë
Çdo model i Collezione 100 ka një konfigurim të veçantë. Pamja e jashtme është frymëzuar nga një Ducati historike, ndërsa pajisjet përfshijnë sedilje Alcantara ose lëkurë me logon Ducati të qëndisur.
Një nga detajet më të dallueshme është ngjyra Centenario Bronze, e krijuar ekskluzivisht për këtë koleksion. Ajo përdoret te kaliperët e frenave, te unaza e kapakut të karburantit dhe te pllaka me numrin serial të çdo modeli.
Kjo pllakë vendoset në qafën e shasisë ose në pjesët e përpunuara nga alumini masiv pranë timonit, në varësi të modelit.
Friksion i thatë për më shumë karakter Ducati
Disa pjesë mekanike të çdo motoçiklete kanë kombinime ngjyrash ekskluzive, të përshtatura me modelin historik që ka shërbyer si frymëzim.
Një element shumë i rëndësishëm është friksioni i thatë, i cili për herë të parë shfaqet edhe në disa modele V2 të Ducati-t. Ky detaj e forcon edhe më shumë karakterin autentik, sportiv dhe koleksionist të Collezione 100.
Friksioni i thatë është një nga ato elemente që lidhen fort me ADN-në sportive të Ducati-t, sepse jep një ndjesi më mekanike dhe më të afërt me botën e garave.
Çdo model vjen me pajisje speciale
Çdo motoçikletë e koleksionit shoqërohet me stand të pasmë të veçantë, të lyer në të njëjtat ngjyra me modelin përkatës, mbulesë mbrojtëse dhe certifikatë autenticiteti.
Si në çdo Ducati koleksioniste, edhe paneli i instrumenteve ka një animacion special në ndezje. Pronarët mund ta plotësojnë eksperiencën edhe me helmetë dhe xhaketë teknike në seri të kufizuar, me ngjyra të frymëzuara nga motoçikleta e tyre.
Kur Ducati bashkon motoçikletën me artin
Collezione 100 është edhe një projekt artistik. Ducati ka përfshirë në këtë koleksion artistin italian Ugo Nespolo, një nga figurat më të njohura të artit italian të fundit të shekullit XX dhe një Ducatista i pasionuar.
Nespolo ka krijuar dy printime artistike të numëruara për çdo model. Çdo çift veprash mban të njëjtin numër serial si motoçikleta dhe paraqet si modelin e ri koleksionist, ashtu edhe Ducati-n historike që ka frymëzuar dizajnin.
Rezultati është një koleksion që nuk është vetëm mekanik, por edhe kulturor: motoçikleta unike, të dallueshme menjëherë dhe plot karakter.
Prezantim special në Mugello
Prezantimi u zhvillua në vijën e drejtë të pistës së Mugello-s, ku Ducati organizoi për herë të parë në historinë e MotoGP një event të stilit vernissage.
Punimet e Ugo Nespolo-s pritën të ftuarit dhe i shoqëruan në një rrugëtim që kulmoi me zbulimin e dhjetë motoçikletave të Collezione 100.
Gjatë eventit, Marc Marquez dhe Pecco Bagnaia zbuluan edhe motoçikletat e Ducati Lenovo Team me dizajn special për garën e Mugello-s. Grafikat bashkonin logot historike të Ducati-t me motive moderne gjeometrike, duke lidhur identitetin e garës me atë të Collezione 100.
Detajet për 100-vjetorin dhe vitet 1926–2026 kanë efekt glitter, si referencë ndaj historikes 750 Imola Desmo. Në pjesën e përparme, grafikat moderne kombinohen me një tabelë ovale numri dhe tipografi vintage.
Edhe partnerët e Ducati-t hyjnë në festë
Disa partnerë të Ducati-t janë frymëzuar gjithashtu nga 100-vjetori i markës.
Piquadro ka krijuar një seri me katër çanta shpine të dedikuara për Collezione 100, ndërsa Carrera, sponsor zyrtar i Ducati Lenovo Team, ka prezantuar syzet e diellit Anniversary Edition, në një seri të numëruar prej 1.000 copësh.
Ku mund të shihet Collezione 100?
Publiku do të ketë mundësinë ta shohë nga afër Collezione 100 gjatë World Ducati Week, më 3, 4 dhe 5 korrik, në një hapësirë të veçantë për Ducatisti-t.
Më pas, dhjetë motoçikletat do të udhëtojnë drejt Goodwood Festival of Speed, një nga eventet më të rëndësishme ndërkombëtare për adhuruesit e makinave dhe motoçikletave.
Në fund, koleksioni do të rikthehet në Bologna, ku do të ekspozohet në muzetë e zonës.
Panigale V4 S 100 – 750 Imola Desmo, 1972

Pamja e Panigale V4 S 100 është frymëzuar nga motoçikleta që fitoi edicionin e parë të garës Imola 200 Miles në vitin 1972, me pilotët Paul Smart dhe Bruno Spaggiari.
750 Imola Desmo u zhvillua mbi bazën e 750 GT, motoçikleta e parë rrugore me dy cilindra e Ducati-t. Ajo ruajti bazën teknike, por mori sistem desmodromik dhe karroceri nga motoçikleta garuese 500 GP.
Ngjyra karakteristike argjendi me glitter, e frymëzuar nga estetika futuriste e asaj periudhe, ishte përdorur më parë në modele prodhimi të Ducati-t, përpara se të kalonte te 500 GP dhe më pas te 750 Imola Desmo.
Fitorja në Imola ishte vendimtare për Ducati-n. Marka nga Borgo Panigale arriti të mposhtte Giacomo Agostini-n dhe MV Agusta-n, duke rritur ndjeshëm famën e saj. Ky sukses çoi në krijimin e 750 Supersport Desmo në vitin 1973, Ducati-t të parë rrugor me dy cilindra dhe sistem desmodromik.
Panigale V4 S 100 ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100 të qëndisur, parafango dhe mbulesa motori e shkarkimi prej karboni premium, si dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial.
Friksioni i thatë dhe shkarkimi Akrapovič prej titani dhe karboni i japin modelit një karakter shumë të veçantë. Pajisjet përfshijnë kit për heqjen e pasqyrave dhe mbajtëses së targës, mbulesë të hapur të friksionit dhe kapak karburanti në Centenario Bronze, të gjitha të menduara për përdorim në pistë.
Panigale V4 S 100 dorëzohet në një kuti druri të ndërtuar posaçërisht.
Panigale V2 S 100 – 750 Super Sport Desmo, 1975

Pamja e Panigale V2 S 100 është frymëzuar nga 750 Super Sport Desmo, motoçikleta me të cilën Franco Uncini fitoi Kampionatin Italian të vitit 1975 me ekipin e Bruno Spaggiari-t.
Në fund të vitit 1973, Ducati ia besoi drejtimin e ekipit Spaggiari-t, ish-pilot dhe themelues ekipi garash, me synimin për të marrë pjesë në Kampionatin Italian të motoçikletave të prodhimit.
Ngjyra e verdhë lidhej me modelet rrugore 750 Sport, ndërsa detajet kafe dhe bordo i referoheshin motorëve detarë që montoheshin në atë kohë në Borgo Panigale.
Panigale V2 S 100 ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100 të qëndisur, timonë sportivë nga alumini i përpunuar, amortizator timoni dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial.
Ky është gjithashtu modeli i parë i familjes së re Ducati V2 që pajiset me friksion të thatë, të zhvilluar posaçërisht për këtë version. Pajisjet përfshijnë kit për heqjen e pasqyrave dhe mbajtëses së targës, mbulesë të hapur të friksionit dhe unazë kapaku karburanti në Centenario Bronze, të gjitha për përdorim në pistë.
Streetfighter V4 S 100 – Ducati 900 Sport Desmo Darmah, 1979

Streetfighter V4 S 100 frymëzohet nga 900 Sport Desmo Darmah e vitit 1979.
Në vitet ’70 dhe ’80, kombinimi i zi me të artë ishte shumë i përhapur në motorsport. Ducati e përdori këtë identitet te 900 Sport Desmo Darmah, një motoçikletë që me standardet e sotme mund të shihet si një Streetfighter para kohe.
Emri Darmah dhe grafika me kokën e tigrit në pjesët anësore pasqyronin tërheqjen e asaj periudhe ndaj motiveve ekzotike dhe imagjinare.
I njëjti element grafik shfaqet edhe në pjesën e pasme të Streetfighter V4 Collezione 100, si dhe në helmetën dhe xhaketën përkatëse.
Streetfighter V4 S 100 ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100, baltëpritës të pasëm, mbulesë motori dhe shkarkim prej karboni premium, friksion të thatë dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial.
Pajisjet standarde përfshijnë kit për heqjen e pasqyrave dhe mbajtëses së targës, mbulesë të hapur të friksionit dhe kapak karburanti në Centenario Bronze, të gjitha për përdorim në pistë.
Edhe ky model dorëzohet në një kuti druri të ndërtuar posaçërisht.
Monster 100 – Monster S4Rs Tricolore, 2008

Ngjyrimi tringjyrësh i Monster 100 është frymëzuar nga Monster S4Rs Tricolore e vitit 2008.
Monster S4Rs Tricolore ishte në thelb versioni final i gjeneratës së parë Monster, të cilën Ducati e prodhoi nga 5 marsi 1993 deri në vitin 2008.
Gjatë kësaj periudhe, Monster u kthye në një nga motoçikletat më të njohura dhe më ikonike, jo vetëm për Ducati-n, por për të gjithë botën e motoçikletave.
Monster 100 dallohet nga friksioni i thatë, mbulesa prej karboni e friksionit, sedilja Alcantara me logon Ducati 100, xhami i vogël përpara dhe kit-i i mbulesës së sediljes që i jep pamje single-seater.
Pllaka Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial vendoset në pjesët e përpunuara të timonit, ndërsa e njëjta nuancë përdoret te unaza e kapakut të karburantit dhe te kaliperët e frenave.
XDiavel V4 100 – 750 Super Sport “California Hot Rod”, 1977

Pamja e XDiavel V4 100 është frymëzuar nga 750 Super Sport “California Hot Rod”, motoçikleta me të cilën Cook Neilson shkroi histori për Ducati-n duke fituar në Daytona në vitin 1977.
Ishte hera e parë që një motoçikletë italiane fitonte në Shtetet e Bashkuara një garë të bazuar në modele prodhimi. Ky sukses rriti ndjeshëm popullaritetin dhe shitjet e Ducati-t në tregun amerikan.
Në mesin e viteve ’70, prania e Ducati-t në SHBA ishte e kufizuar kryesisht te Scrambler, një model pothuajse off-road që importohej nga vëllezërit Berliner. Fitorja e Neilson-it në Daytona ndryshoi gjithçka.
XDiavel V4 100 dallohet edhe brenda Collezione 100 falë sediljes prej lëkure me logon Ducati 100 të qëndisur dhe pjesës qendrore të timonit, të përpunuar nga material masiv, ku ndodhet pllaka Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial.
Friksioni i thatë e bën eksperiencën e drejtimit edhe më personale. Pajisjet përfshijnë sedilje lëkure për pasagjerin, unazë kapaku karburanti në Centenario Bronze dhe mbulesë të hapur të friksionit, e cila nuk është e homologuar për përdorim në rrugë.
XDiavel V4 100 dorëzohet në kuti druri të ndërtuar posaçërisht.
Diavel V4 RS 100 – 900 Replica, 1979

Pamja e Diavel V4 RS 100 është frymëzuar nga 900 Replica e vitit 1979, një nga motoçikletat rrugore më ikonike në historinë e Ducati-t.
Pas fitores së Ducati-t në Tourist Trophy në vitin 1978, kompania nga Borgo Panigale nisi prodhimin e modeleve me pamje të frymëzuar nga motoçikleta fituese në Isle of Man.
Kështu lindi 900 Replica, Ducati i parë rrugor që ishte një replica e një motoçiklete garuese dhe që u bë menjëherë objekt dëshire për Ducatisti-t.
Pamja jeshile dhe e kuqe me vija të bardha riprodhonte ngjyrat e motoçikletës fituese dhe përfaqësonte një nga format e para të identitetit grafik italian që Ducati do ta përdorte më vonë në disa nga modelet më sportive dhe ekskluzive.
Diavel V4 RS 100 bazohet te Diavel V4 RS dhe pajiset me motorin Desmosedici Stradale. Ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100, pjesë qendrore të timonit të përpunuar nga material masiv me pllakë Centenario Bronze, si dhe unazë kapaku karburanti në të njëjtin finiturë.
Pajisjet përfshijnë sedilje pasagjeri nga Alcantara, kapak karburanti të përpunuar dhe mbulesë të hapur të friksionit, të cilat nuk janë të homologuara për përdorim në rrugë.
Diavel V4 RS 100 dorëzohet në kuti druri të ndërtuar posaçërisht.
Multistrada V4 RS 100 – 500 SL Pantah, 1979

Pamja e Multistrada V4 RS 100 është frymëzuar nga 500 SL Pantah e vitit 1979, një vit shumë i rëndësishëm për risitë teknike të Ducati-t.
500 SL Pantah ishte Ducati i parë me shasi trellis, edhe pse ndryshe nga shasia që më vonë do të bëhej një nga shenjat më të njohura të markës për gati gjysmë shekulli.
Ajo përdorte motorin Pantah, i cili zëvendësoi sistemin me ingranazhe konike që Ducati kishte përdorur që nga Gran Sport Marianna e vitit 1955.
Me dizajn këndor tipik për fillimin e viteve ’80 dhe logo të krijuar nga Giorgetto Giugiaro, 500 SL Pantah u vlerësua për lehtësinë në drejtim dhe peshën e ulët.
Multistrada V4 RS 100 bazohet në Multistrada V4 RS me motor Desmosedici Stradale, ndaj grafika e saj mban edhe logon Desmo në pjesën e pasme.
Modeli ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100 dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial në kapëset dhe pllakën e përpunuar të timonit.
Pajisjet përfshijnë unazë kapaku karburanti në Centenario Bronze dhe mbulesë të hapur të friksionit prej karboni, të cilat nuk janë të homologuara për përdorim në rrugë.
Multistrada V4 RS 100 dorëzohet në kuti druri të ndërtuar posaçërisht.
Scrambler 100 – 250 Scrambler, 1962

Pamja e Scrambler 100 është frymëzuar nga 250 Scrambler e vitit 1962, versioni i parë Ducati Scrambler, i krijuar fillimisht vetëm për tregun amerikan.
Historia e Scrambler lidhet me Joe Berliner, importuesin e parë amerikan të Ducati-t, i cili kërkonte një model të ri për SHBA.
Reklama dhe publiciteti i krijuar nga udhëtimi rreth botës i Monetti-t dhe Tartarini-t në vitin 1957 e kishte rritur ndërkohë njohjen e Ducati-t në Amerikë, ku marka ishte ende pothuajse e panjohur.
Berliner i kërkoi Ducati-t një motoçikletë off-road dirt track, një ide që më parë nuk ishte shqyrtuar në Borgo Panigale. Përgjigjja erdhi në vitin 1962 me 250 Scrambler.
Scrambler 100 bazohet te Scrambler Nightshift, por është përmirësuar me sedilje Alcantara me logon Ducati 100 dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial, të vendosur në kapëset e përpunuara të timonit.
Përfshihet edhe kapak karburanti i përpunuar, me unazë në Centenario Bronze.
Hypermotard V2 SP 100 – Ducati 860 “24 Horas de Montjuïc”, 1975

Pamja e Hypermotard V2 SP 100 është frymëzuar nga Ducati 860 e garës 24 Horas de Montjuïc.
Pas fitores në Imola 200 në vitin 1972, Ducati investoi më shumë në garat me motoçikleta të bazuara në modele prodhimi, sidomos në garat e qëndrueshmërisë.
Për këtë arsye, i duhej një motor me dy cilindra dhe kubikë më të mëdhenj se 750, i aftë të përballonte ngarkesën e garave si Bol d’Or dhe 24 Horas de Montjuïc.
Ducati 860 debutoi me fitore në vitin 1973 si prototip 860 Desmo, që më vonë do të evoluonte në Ducati 900 Super Sport rrugore.
Në vitin 1975, Salvador Canellas dhe Benjamin “Min” Grau përsëritën suksesin në garën katalanase, me ngjyrat e forta të ekipit NCR të Nepoti-t dhe Caracchi-t.
Hypermotard V2 SP 100 bazohet në versionin SP, me sistem amortizimi Öhlins dhe rrota të farkëtuara. Ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100, pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial, si dhe friksion të thatë.
Pajisjet përfshijnë kapak karburanti në Centenario Bronze dhe mbulesë të hapur të friksionit prej karboni, të cilat nuk janë të homologuara për përdorim në rrugë.
DesertX 100 – Pantah “Ice”, 1981

Pamja e DesertX 100 është frymëzuar nga Pantah “Ice” e vitit 1981, një nga rastet më të veçanta të product placement në historinë e Ducati-t.
Pantah “Ice” ishte një Pantah 500 e modifikuar me goma me thumba dhe pa sistem frenimi, në mënyrë që të përdorej në pista akulli.
Në atë periudhë, Ducati kontrollohej nga struktura shtetërore italiane që kishin nën kontroll edhe kompani si Alfa Romeo. Në fillim të viteve ’80, EFIM, që kontrollonte si Ducati-n, ashtu edhe Alfa Romeo-n, organizoi një kampionat për Alfasud në pistat e akullta të Alpeve.
Gjatë pushimeve mes garave, Pantah “Ice” me ngjyra të forta ofronte spektakël për publikun.
Pamja e zgjedhur për DesertX 100, e verdhë me vija blu, i përket një modeli që deri para pak vitesh ishte pjesë e koleksionit të Muzeut Ducati.
DesertX 100 ka sedilje Alcantara me logon Ducati 100 dhe pllakë Centenario Bronze me emrin dhe numrin serial, të vendosur në distancatorët e timonit.
Parafangoja e lartë përpara dhe grila prej alumini e radiatorit forcojnë karakterin off-road të modelit. Pajisjet përfshijnë kapak karburanti në Centenario Bronze dhe grilë feneri, të cilat nuk janë të homologuara për përdorim në rrugë.
Në thelb, Collezione 100 është një përmbledhje e historisë së Ducati-t në formë motoçikletash moderne. Çdo model lidh një kapitull të së kaluarës me teknologjinë aktuale, duke krijuar një koleksion për ata që nuk e shohin Ducati-n vetëm si motoçikletë, por si trashëgimi, garë dhe art italian.